September 11, 2025
Probleme në marrëdhëniet seksuale, disfunksioni erektil nuk kursen më as 20-vjeçarët

Disfunksioni erektil, një problem që tradicionalisht shoqërohej me moshat e avancuara, po shfaqet gjithnjë e më shpesh edhe te meshkujt e rinj.
Një studim i fundit nga kompania farmaceutike Chemist4U, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, thekson urgjencën për informim të hershëm, diagnostikim dhe ndërhyrje të specializuar.
Sipas studimit, dy në tre meshkuj të moshës 25-34 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar kanë përjetuar vështirësi në arritjen apo ruajtjen e ereksionit. Edhe më alarmues është fakti se mbi 50% e burrave të moshës 18-24 vjeç raportojnë simptoma të ngjashme, një sinjal shqetësues për profesionistët e shëndetit.
Studimi u bazua në një kampion prej mbi 2,000 meshkujsh dhe përfshiu gjithashtu analiza të trendeve të kërkimit në internet për ilaçe që përmbajnë sildenafil, përbërës aktiv në trajtimin e disfunksionit erektil.
Brenda një periudhe prej 90 ditësh, kërkimet në Google për pyetje si “a funksionon për të gjithë?” u rritën me mbi 5,000%.
“Studimi ynë tregon se më shumë se gjysma e burrave në Mbretërinë e Bashkuar përballen me probleme të ereksionit, duke e bërë të qartë sa i zakonshëm është ky problem,” deklaroi farmacisti i Chemist4U, Ian Budd. Ai theksoi se kërkimet e fundit në Google tregojnë qartë se shumë meshkuj janë në kërkim të informacionit të besueshëm mbi shkaqet dhe trajtimet.
Faktorët që ndikojnë: Nga ankthi te stili modern i jetesës
Sipas Budd, rritja e rasteve në mesin e të rinjve lidhet shpesh me faktorë psikologjikë dhe stilin modern të jetesës, përfshirë konsumin e alkoolit, stresin, mungesën e aktivitetit fizik dhe problemet kardiovaskulare.
Ai theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për të ndjekur trajtime të përshtatura, pasi shpesh disfunksioni erektil mund të sinjalizojë probleme më serioze shëndetësore, si hipertension, kolesterol të lartë, çrregullime hormonale apo edhe sëmundje mendore si depresioni dhe ankthi nga performanca.
Studimi zbuloi gjithashtu dallime të ndjeshme në bazë të vendndodhjes, me qytetet në jug të Anglisë që shënojnë përqindjet më të larta të rasteve.
Ekspertët paralajmërojnë edhe për një tjetër faktor të rëndësishëm, konsumi i tepërt i përmbajtjeve pornografike. Ekspozimi i shpeshtë dhe i pakontrolluar ndaj këtyre materialeve mund të ndikojë në mënyrën se si truri reagon ndaj stimulimit seksual në jetën reale, duke shtuar ankthin nga performanca dhe duke e vështirësuar ngacmimin natyral.
“Askush nuk duhet ta përjetojë këtë problem vetëm apo në heshtje,” thekson Budd. “Ekzistojnë trajtime efektive, dhe shpesh, ndryshimet e vogla në stilin e jetesës mund të kenë ndikim të madh. Po ashtu, është e rëndësishme të flisni hapur me partnerin/en për të lehtësuar ndikimin psikologjik. Më e rëndësishmja është të bëni hapin e parë sa më herët, edhe nëse duket i vogël.”
Dysfunksioni erektil te meshkujt e rinj po shfaqet si një shqetësim në rritje, i ndikuar nga faktorë të shumtë, fizikë, psikologjikë dhe socialë.
Përballimi i problemit nuk duhet të mbështetet vetëm në ilaçe, por të shoqërohet me një kujdes të përgjithshëm për shëndetin mendor dhe fizik. Informimi, ndihma profesionale dhe një mënyrë jetese e shëndetshme mund të bëjnë ndryshimin për cilësinë e jetës së të prekurve.
Ndaje lajmin:
Gazeta FAMA
Lajmet e Fundit
Qëndroni të informuar me zhvillimet më të fundit dhe ngjarjet kryesore nga vendi dhe bota.

October 15, 2025
Njihuni me familjen më të pasur në botë, mbi 470 miliardë dollarë dhe 7 klube sportive!

October 14, 2025
Habit Miss Grand Kosova 2025: Flas gjuhën e Kosovës dhe shqip!
